Ky projekt përfshin hartimin e disa fjalorëve juridikë shumëgjuhësh, të ndërtuar mbi bazën e gjuhës shqipe dhe të harmonizuar me gjuhët kryesore të Bashkimit Evropian: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht dhe italisht.
Ndryshe nga praktikat e zakonshme të përkthimit terminologjik, këta fjalorë janë rezultat i një pune të dyfishtë dhe të gjatë kërkimore. Së pari, ka qenë e domosdoshme ndërtimi dhe sistematizimi i vetë terminologjisë juridike në gjuhën shqipe, në fusha ku nuk ekzistonin fjalorë tipikë ose standarde të konsoliduara kombëtare. Së dyti, është realizuar përzgjedhja dhe harmonizimi i termave përkatës në secilën nga gjuhët e huaja, duke respektuar konceptin juridik dhe kontekstin normativ të secilit sistem ligjor.
Puna kërkimore për këta fjalorë është shtrirë në rreth dy dekada dhe ka nisur në kushte të mungesës së mjeteve teknologjike, kryesisht përmes punës dorazi dhe studimit krahasues të burimeve juridike dhe gjuhësore. Zhvillimet e sotme teknologjike kanë mundësuar përmirësimin e mëtejshëm të saktësisë, konsistencës dhe përdorimit praktik të terminologjisë juridike në gjuhën shqipe, si dhe integrimin e saj në qarkullimin profesional dhe institucional ndërkombëtar.
Fjalorët përfshijnë, ndër të tjera, terminologjinë e siguracioneve, të transportit dhe turizmit, si dhe të administratës publike, secili me rreth 2200 terma. Këto fusha lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës, ekonominë e tregut dhe procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire, veçanërisht në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ky projekt synon të kontribuojë në forcimin e gjuhës juridike shqipe, në rritjen e qartësisë dhe sigurisë juridike, si dhe në lehtësimin e komunikimit profesional ndërmjet institucioneve kombëtare dhe atyre evropiane e ndërkombëtare.

